Këngëtarët Shqiptarë drejt Prishtinës.


Klubet kosovare janë bërë vendtakim i këngëtarëve të njohur të Shqipërisë, të cilët kanë gjetur strehë nëpër to. Elvana Gjata ishte ajo që dridhi skenën javën e kaluar, kurse të mërkurën është radha e Florit me Klajdi Harunin, që do ta sjellin “live” “Mamicën” e tyre në Duplex.

Sezonet e verës bëjnë që këngëtarët shqiptarë të aktivizohen jashtëzakonisht shumë. Kosova mbetet pa yjet e estradës së saj, të cilët thuajse gjithë sezonin veror e kalojnë nëpër vende bregdetare të Shqipërisë, Malit të Zi, etj, për të performuar para turistëve të shumtë.
Kështu, në Prishtinë e Kosovë thuajse nuk dëgjohet fare zëri i tyre.
Megjithatë, këtë boshllëk ia dalin ta mbulojnë këngëtarët e njohur, kryesisht nga Shqipëria.
Plot këngëtarë të tyre vinë në Prishtinë që të këndojnë këngët e tyre dhe publiku nuk mungon. Të gjithë këndojnë hitet e tyre, prishtinalitë nuk i kthejnë edhe duarthatë, ku pos mikpritjes i presin dhe i respektojnë ata deri në maksimum.
Marshimi i tyre drejt vendit tonë për të performuar para publikut kosovar nuk ndalet.
E njëri prej distinacioneve kryesore të tyre tash e disa vite është bërë diskoteka më e njohur në Prishtinë, ‘Duplex’, që kryesisht pret këngëtarë të Shqipërisë.
Pas Alban Skenderajt, Genës, të premten e kaluar në këtë diskotekë këndoi këngëtarja e njohur Elvana Gjata.
Ndërsa tani ‘Duplex’ po përgatitet për të mërkurën, kur para mysafirëve do të performojë këngëtari i njohur po nga Shqipëria, Flori Mumajesi bashkë me Klajdi Harunin, të cilët tashmë kanë bërë ‘bum’ me këngën ‘Mamica’.
“Kënga ‘Mamica’ është duke u dëgjuar me të madhe dhe ne e dimë se të gjithë në Prishtinë duan ta dëgjojnë edhe ‘live’ atë këngë. Prandaj kemi vendosur t’i sjellim Florin e Klajdin”, u shpreh Luaras Meha – Luki
“Ne e kemi vërejtur se qytetarët tanë në njëfarë mënyre janë ngopur duke i dëgjuar këngëtarët tonë, për të cilët ‘Duplex’ ka respekt të madh. Prandaj, po mundohemi t’i sjellim më afër nesh edhe këngëtarët e njohur nga Shqipëria”, shtoi ai.
Luki theksoi se ‘Duplex’ nuk e ka të lehtë t’i sjellë në Prishtinë këngëtarët e njohur si Elvana Gjata, Flori Mumajesi, etj, pasi ata kanë oferta të shumta nëpër vendet bregdetare të Shqipërisë dhe më gjerë në këtë sezon vere, por për hir të mysafirëve ‘besnikë’, ‘Duplex’ po ia del.
“Këngëtarët tanë të Kosovës janë shumë të zënë në këtë sezon veror. Por, edhe këta të Shqipërisë kanë oferta të shumta, prandaj nuk e kemi aspak të lehtë. Por, si një diskotekë serioze dhe me traditë ia dalim. Duam t’i kënaqim mysafirët tanë”, vazhdoi Luki.
Ndërkohë, deri më tani në këtë verë në vendin tonë prej këngëtarëve vendorë më së shumti po dëgjohet zëri i anëtarëve të ‘Baba Stars’, të cilët kryesisht këndojnë në Prime Club dhe në Plat’on.
Sigurisht se edhe këtë vit në Prishtinë nga Shqipëria do të aterojë Bojken Lako, i cili ka pasur disa koncerte të mira në Duplex dhe është njëri prej rokerëve që më së shumti përcillet në Kosovë.
Telat e kitarës do t’i nxehin edhe Elita 5 këtë verë, aq më tepër kur albumi i tyre, edhe pse i lansuar vitin e kaluar ende është në trend.
Dhe kur dihet se krejt estradën e Kosovës e gjen në Ulqin dhe bregdetin shqiptar, atëherë Prishtina po bëhet vendtakim i mërgimtarëve, pasi që shumica e këngëtarëve shqiptarë, por edhe DJ-ve të njohur botërorë po vinë në kryeqytet.
Më të vërtetë, Prishtina po duket gjithmonë e më “In” gjatë verës.

No comments:

Post a Comment