Rezarta Shkurta: “Do t’i marr Rozanës maksimumin e parave”



 Ka mbaruar në favor të këngëtares Rezarta Shkurta gjyqi maratonë, i cili i ka fillesat e tij në dhjetor të vitit 2010. Janë zhvilluar plot 23 seanca gjyqësore duke e kthyer këtë proces në një kuriozitet më vete e duke bërë që shumë fansa të këngëtareve Shkurta dhe Radi të hamendësojnë se kush do të dalë fitimtare në fund. Përgjatë një viti e gjysmë beteje ligjore, çdo lajm mbi karrierën e dy këngëtareve kaloi pothuajse në plan të dytë, ndërkohë që pritja e gjatë e bënte më të ethshëm padurimin për të mësuar fjalën e fundit të drejtësisë. Dhe fjala e fundit u tha këtë të enjte në Gjykatën e Tiranës, ku u dha pretenca finale që shpall këngëtaren Rezarta Shkurta të pafajshme. Ka qenë vetë këmgëtarje, e cila ka preferuar ta japë këtë lajm të gëzuar për të në profilin e saj në facebook, para se ajo të bëhej publike në media. Për të mësuar se si e ka pritur këtë lajm dhe si e ka përjetuar këtë kohë jo aq të shkurtër me një akuzë që i rrinte mbi kokë, na rrëfen vetë këngëtarja në këtë intervistë.
Je shpallur e pafajshme, urime! Kush ta dha lajmin i pari dhe si e përjetove atë moment?
Pothuajse në të njëjtën kohë më lajmëroi me SMS avokati im, si dhe bashkëshorti, Ermali. E përjetova si një moment çlirimi.
Na thuaj të drejtën, a kishte momente kur dyshoje se mund edhe të dënoheshe?
Kam qenë aq e bindur në pafajësinë time, saqë nuk e çoja nëpër mend dënimin. Gjithsesi, kur je e akuzuar, nuk ke asnjëherë 100% siguri. Por unë e kam thënë edhe kur prokurori kërkoi dënimin tim, që unë besoj te Gjyqësori dhe, siç e shihni, kam pasur të drejtë.
Të mendojmë për një moment sikur të ishe dënuar, çfarë mendove për dënimin e çuditshëm që u kërkua për ty, 82 orë punë e detyruar në shërbim të komunitetit?
E thatë saktë, dënim i çuditshëm. Unë e citova edhe më lart, që nuk e mendoja dënimin, por kur mësova llojin e dënimit, shtanga. Të punosh apo të kontribuosh, qoftë edhe me veprime modeste në shërbim të komunitetit, personalisht nuk e konsideroj si dënim, por si kënaqësi. Sa herë më kanë kërkuar të këndoj në koncerte bamirësie, e kam bërë pa u menduar dy herë. Jo vetëm unë, por të gjithë ne duhet të bëjmë diçka për komunitetin, sepse kjo tregon shkallë të lartë ndërgjegjësimi dhe përgjegjësie për vendin ku jetojmë.
Ti thua që ishe e sigurt se do merrje pafajësinë, por na rrëfe se si ka qenë jeta e një artisteje këto kohë me një proces gjyqësor që nuk mbaronte kurrë; Kë ke ndier më afër?
Duke qenë një artiste, procesi gjyqësor nuk është një frymëzim, por një bezdi dhe ndikon edhe në humorin e predispozitën për të realizuar projektet e tua. Gjithsesi, unë jam njeri i fortë dhe i vendosur dhe nuk kam lënë asnjë plan timin pa realizuar. Ia kam dalë mbanë dhe konstatoj madje që vështirësitë më bëjnë më të fortë. Njerëzit që më kanë qëndruar më pranë dhe më kanë dhënë kurajë, janë familja ime dhe bashkëshorti im Ermali, i cili është edhe njeriu që më ka mirëkuptuar dhe mbështetur në çdo moment. I jam shumë mirënjohëse. Këto momente delikate e bëjnë një çift akoma më të fortë.
Në një intervistë, Rozana Radi është shprehur se nuk dëshiron që ti të dënohesh, por thjesht të deklarohesh fajtore, si mendon sa e sinqertë ka qenë Rozana në këtë deklaratë?
Rozana, krahas muzikës ka edhe një profesion tjetër, atë të aktores. Mendoj se ky ka qenë aktrimi i radhës, por gjithsesi një aktore e keqe në këtë rast. Ajo mendon që edhe nga një moment si ky të përfitojë keqardhjen e njerëzve dhe simpatinë e tyre duke bërë të mirën. Por problemi është se kush e beson. Ashtu sikundër nuk e besoi askush kur u shfaq me sy të nxirë, ndërkohë që në polici, natën e incidentit, u shfaq pa asnjë shenjë dhune. Falë Zotit, aty ishin dëshmitarë dy efektivë të Policisë, fare asnjanës, të cilët dëshmuan gjendjen e dehur të Rozanës dhe fjalorin e rrugëve që ajo përdorte, e natyrisht pa asnjë shenjë dhune.
Një tjetër deklaratë e Rozanës është se ti ke tentuar të pajtohesh me të këto kohë, është e vërtetë?
Gënjen si dreqi. Nuk kam kërkuar asgjë të tillë, sepse ajo që ka ndodhur ka qenë shumë e rëndë për mua dhe nuk mund as ta imagjinoja të ulesha me të a thua se s’ka ndodhur asgjë. Ajo në dëshmitë e saj të rreme ka thënë se Ermali me Rezartën më kanë rrahur. Përfshirja e bashkëshortit tim në këtë histori më ka lënduar shumë dhe jam çuditur se deri ku mund të shkojë ligësia e saj. Atë natë ajo i tha Ermalit se “nëse do ta gjesh ndonjë ditë gruan tënde të vdekur në ndonjë kanal, ta dish që e ke prej meje”.
Ti ke thënë në një intervistë të disa muajve më parë që ajo inatin kryesor me ty e ka për shkak se dikur ka pretenduar të kishte një marrëdhënie me bashkëshortin tënd. Mund të ishte kjo arsyeja pse e përfshiu edhe Ermalin?
Nuk është faji im se Rozana sheh ëndrra me sy hapur…
Me sa shohim, nuk ka mundësi që ju të dyja të bëni paqe ndonjëherë…
Do të ishte absurde një gjë e tillë. Përkundrazi, mbas kalvarit gati dyvjeçar ku mediat shpesh edhe në mënyrë abuzive më lakonin sikur të isha një kriminele, do të ketë një tjetër proces gjyqësor. Pasi gjykata më shpalli të pafajshme, është normale që unë do ta hedh në gjyq Rozanën ku do t’i kërkoj dëmshpërblim për prishje imazhi. Nuk ia kisha për borxh gjithë këtë shqetësim. Të përflitesh për gjëra të paqena dhe aspak të këndshme, nuk është diçka që mund të kalojë lehtë.
Dhe sa do t’i kërkosh si dëmshpërblim?
Do t’i kërkoj maksimumin e mundshëm të parave, që parashikohet me ligj. Unë e di që Rozana e ka sport të preferuar konfliktin me koleget, ato të tjerat e kaluan pa shumë zhurmë, të tulatura nga ideja se çfarë do të mendojë opinioni. Por në këtë rast vajza ka gjetur gjahun e gabuar.

No comments:

Post a Comment